Faqja është akoma në fazë kompletimi



logo

29 maj 2011

Lufta dhe terrori në emër të Zotit, pj.I


Xhihadi shikuar nga këndvështrimi i një skandinavi.

Autor: Ingemar Karlsson

“Mos mendoni se unë erdha të sjell paqen mbi tokë; nuk erdha të sjell paqen, por shpatën”. (Ungjilli sipas Mateut, 10:34)

Xhihadi - luftë e drejtë e shenjtë?
Siç kemi theksuar, Dhiata e Vjetër në tre vende parasheh një politikë përfundimisht drastike në lidhje me banorët e Kaananit; si p.sh. në Librin e Pestë të Mojsiut 20:16-17: “Por nga qytetet e këtyre popujve që Zoti, Perëndia yt, të jep si trashëgimi, nuk ke për të lënë asgjë që merr frymë; por do të vendosësh shfarosjen e plotë të tyre, domethënë të Hitejve, të Amorejve, të Kananejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt”. Pas pushtimit të Jerikut, Joshua i përcolli këto udhëzime: “Dhe shfarosën gjithçka ishte në qytet, duke vrarë me shpatë burra e gra, fëmijë dhe pleq e madje qe, dele dhe gomarë”. (Jozua, 6:21).
Siç duket askujt nuk iu kujtua që t’i barazojë këto citate biblike ose ato të cituara më lartë nga Ungjilli i Mateut me etikën hebreje dhe atë krishtere. Nocioni xhihad i cili, thjeshtë është përkthyer si “luftë e shenjtë”, megjithatë shekuj me radhë ka shkaktuar diskutime në Evropë dhe është kuptuar si argument i dukshëm për fanatizmin fetar islam, porosia e së cilës me shekuj është përhapur me shpatë dhe e cila sot e kësaj dite me dhunë iu imponohet të tjerëve.
Botëkuptimi i këtillë (për nocionin xhihad) në një masë të gjerë është shkaktuar nga paragjykimet tona, se bota islame përmes ndonjë mënyrë të domosdoshme e kishte patjetër që pakicat fetare t’i trajtojë me një mizori dhe fanatizëm të njëjtë ashtu siç edhe ne evropianët e kemi bërë një gjë të atillë me shekuj dhe në një masë tjetër (një botëkuptim i këtillë) vjen nga padituria për domethënien e vërtetë të nocionit xhihad.
Në islam Zoti çdo herë është i Mëshirshëm dhe i Gjithmëshirshëm. Të gjitha 114 kaptinat kur’anore, përveç njërës, fillojnë me shprehjen err-Rrahman, err-Rrahim (Mëshiruesi, Mëshirëbërësi). Nocioni islam vjen nga rrënja e njëjtë si edhe fjala selam, paqe, ashtu që edhe sipas definicionit islami është religjion i paqes. Edhe pse qëllimi është paqja, ekzistojnë botëkuptime të ndryshme se si të arrihet deri tek ajo. Mund të thuhet se në Kur’an dhe në traditë nocioni i paqes është kushtëzuar me pranimin e të kuptuarit të Zotit, ndërsa të kuptuarit e islamit nga bota joislame ishte karakterizuar, por edhe më tej vazhdon të jetë ashtu, me idenë se një të pranuar i atillë është imponuar me luftën e shenjtë. Për atë arsye nocioni xhihad asocion në fanatizëm, mizori dhe jotolerancë. Megjithatë, domethënia esenciale nuk ka asgjë me luftën. Fjala xhihad përbëhet nga bashkëtingëlloret xh, h, d, të cilat kanë domethënien e përpjekjes. Nocioni suedez që është më i përafërt me domethënien e xhihadit është shprehja kamp/luftë ose ajo në gjuhën angleze struggle, e cila, siç është e njohur, mund të posedojë më shumë domethënie. Çdo përpjekje e realizuar në përcjelljen e rrugës së Zotit është xhihad. Kjo assesi nuk duhet të ndërlidhet me veprimtaritë luftarake. Në gjuhën arabe ekzistojnë nocione dhe fjalë të tjera të cilat e karakterizojnë luftën, siç janë; harb/luftë ose qital/konflikt i armatosur prej ku rezultojnë mbytje, kifsh/luftë e armatosur, mukatala/konflikt i armatosur, sira’a,/ luftë, betejë dhe mea’areke/betejë, luftë/.
Pasi që Profeti Muhammed u detyrua për t’a braktisur vendlindjen e tij Mekken në vitin 622 dhe të kërkojë strehim në Medinë, ai ndërmori hapat mbrojtëse për t’a mbrojtur pasurinë e tyre personale të cilën ua kishin grabitur mekasit kurejshitë/idhujtarët/në Mekkë, pasuri të cilën ata e kishin ngarkuar nëpër deve me qëllim për ta bartur në tregjet jashtme (Damask). Ky akt në gjuhën arabe quhet gazwa, nocion i cili nga italishtja arriti në gjuhën suedeze si racion. Këto aktivitete para se gjithash ishin të drejtuara kundër karvanit i cili kalonte nëpër shkretëtirë (aty pranë Medines). Tek banorët mekkas, të cilët nuk e pranuan Shpalljen (si dhe të cilët muslimanëve ua kishin plaçkitur pasurinë e lënë në Mekkë), Muhammedi vërejti armiqtë e tij dhe të bashkësisë së tij, ndaj dhunës së së cilëve e kishte të domosdoshme të reagojë. Në fillim konflikti ishte mënyrë për sigurimin e të mirave ekonomike për të mbijetuar bashkësia e re, e jo mjet për konvertimin e njerëzve në fe. Shkaku i formimit të aleancave me fiset tjera ishte pjesë e strategjisë luftarake, por së pari ato do duhej të përforcoheshin dhe të argumentohen me konvertimin e tyre në islam. Në fazën e parë të zgjerimit të fesë së re, fiseve pagane të Gadishullit Arabik nuk iu është ofruar zgjidhje tjetër përveç konvertimit në islam ose vdekja.
Pasi që pushteti islam u konsolidua dhe armata islame filloi të çlirojë territore të populluara me njerëz të cilët gjithashtu e pranonin një Zot, ajo politikë u ndryshua. Kalimi në islam e humb domethënien primare, ndërsa të krishterët dhe hebrenjtë si “popull të Librit” me këtë status ishin të mbrojtur dhe në mënyrë të lirë kanë mundur t’a shprehin besimin e tyre me kusht që të paguajnë tatim. Në këtë mënyrë xhihadi u bë edhe mënyrë e përhapjes së fesë dhe stabilizimit të perandorisë.
Në Afrikë dhe Azi tregtarët kishin një rol të rëndësishëm për përhapjen e fesë së re (Islamit). Ata ishin përfaqësues të sistemit të ri dhe superior social. Islami është përhapur përmes rrugëve tregtare dhe pa përdorimin e kurrfarë armëve, edhe atë prej Nigerisë në Perëndim, e deri në Kinë në Lindje, si dhe përmes rrugëve detare deri në vendet e largëta të Madagaskarit, Zanzibarit dhe Indisë, prej ku tregtarët indianë i islamizuan ishujt malaje.
Pra, xhihadi nuk është domosdoshmërish luftë pushtuese me parashenjën religjioze. Ai, para se gjithash, është një obligim i muslimanit për ta ndjekur rrugën e Zotit, xhihadu fi sebili-lah. Sipas një thënie, luftën e çdo individi me vetveten me qëllim që të mos largohet nga ajo rrugë, Profeti e quajti luftë të shenjtë, al-xhihad al-akbar, ndërsa luftën ushtarake ose atë politike për mbrojtjen e territorit islam (dar as-salam) e quajti si luftë të vogël të shenjtë, al-xhihad es-sagir.
Në doktrinën islame mund të dallohen katër mënyra të ndryshme të udhëheqjes së luftës së shenjtë; me zemër, me gjuhë, me dorë dhe më në fund me shpatë. Lufta e shenjtë me zemrën është luftë e brendshme shpirtërore dhe morale të cilën çdo njeri medoemos t’a zhvillojë me vetveten. Në literaturën sufite mund të lexojmë se lufta me epshet personale është forma më e lartë e xhihadit. Lufta me gjuhë karakterizon atë se besimtari duhet ta përhap fenë e vërtetë dhe me mënyrën e tij të jetesës të jetë shembull i mirë kundruall jomuslimanëve. Xhihadi me dorë do të thotë që besimtari përmes punës të merr pjesë në përforcimin e bashkësisë muslimane. P.sh. sipas një thënies, Muhammedi ka thënë se puna e suksesshme është një lloj i xhihadit.
Lufta e shenjtë me shpatë në dorë kundër armikut të islamit, siç theksuam më lartë, është ajo që ne në Perëndim e ndërlidhim me xhihadin.
Kaptina të ndryshme të cilat flasin për xhihadin si luftë të armatosur, megjithatë, dukshëm dallohen njëra nga tjetra dhe shpeshherë ofrojnë porosi plotësisht kundërthënëse. Kaptinat më shpesh të cituara zënë qëndrim të fuqishëm ideologjik luftarak. Ato (citate) urdhërojnë luftë të papërshtatshme kundër jomuslimanëve, urdhërojnë mbytjen e paganëve dhe pamundësinë e vënies së paqes përderisa plotësisht nuk mbisundon islami. Në ajetin shpeshherë të cituar, kaptina 9:5 thuhet:
“E kur të kalojnë muajt e shenjtë, luftoni idhujtarët kudo që t'i gjeni, robëroni dhe ngujoni ata, e vinju pritë në çdo shteg. Në qoftë se pendohen, e falin namazin dhe e japin zeqatin, atëherë ua lëshoni rrugën, se vërtet All-llahu falë është Mëshirues”.
Në kaptinat tjera thuhet se lufta e vetme legjitime është lufta për vetëmbrojtje. Prandaj, xhihadi është bellum justum. Në kaptinën 2:190-192 thuhet:
“Dhe luftoni në rrugën e All-llahut kundër atyre që ju sulmojnë e mos e teproni se All-llahu nuk i do ata që e teprojnë (e fillojnë luftën). Dhe luftoni ata kudo që t'i zini, dëboni prej vendit ata sikurse ju përzunë ata juve. Provokimi (fitneja) është më i rëndë se vrasja. Mos i luftoni ata pranë xhamisë së shenjtë (Qabes) deri që ata t'ju luftojnë juve aty, e nëse ju sulmojnë, atëherë sulmoni edhe ju ata. I këtillë është ndëshkimi ndaj pabesimtarëve. E nëse heqin dorë (nga provokimi), All-llahu është Ai që fal dhe që mëshiron”.
Këto ajete na e përkujtojnë idenë për luftë korrekte të cilën i pari e zhvilloi Augustini dhe më pas Thoma Akuini. Luftën medoemos ta mbështesë sunduesi, sepse lufta nuk mund të jetë në kompetenca të individit. Për luftë medoemos të ekzistojnë arsye të mjaftueshme. Lufta lejohet vetëm nëse është qëllimi i mënjanimit të padrejtësive evidente. Lufta medoemos ta përparojë të mirën dhe t’i iket të keqes.
Gjatë periudhës së kaluar të islamit, dijetarët islam janë orvatur t’i shpjegojnë urdhrat që kanë të bëjnë me këto çështje, edhe atë me ndihmën e asbab en-nuzul (shkaqet e zbritjes) të ajeteve/Shpalljes/ dhe e citojnë ajetin 106 të kaptinës 2 ku thuhet: “Ne nuk abrogojmë (pezullojmë) asnjë nga argumentet tona, apo ta hedhim në harresë e të mos sjellim edhe më të dobishëm se ai, ose të ngjashëm me te. A nuk e ke ditur se All-llahu është i plotfuqishëm për çdo send”?
Sipas kësaj teorie, Shpallja i pasqyron rrethanat e ndryshme për udhëheqje të luftës. Përderisa Muhammedi qëndronte në Mekkë dhe përderisa bashkësia e tij ishte e dobët dhe e ndjeshme, ajetet e shpallura kryesisht flitnin për mënyrën e shmangies nga konflikti i armatosur.
Atëherë kur persekutimet dhe dëbimet rezultuan me hixhret, shpërngulje në Medinë, muslimanët morën leje nga Zoti për luftë vetëmbrojtëse. Sado që bashkësia zgjerohej dhe bëhej më e fuqishme, ashtu zgjeroheshin kushtet dhe përkufizoheshin restrikcionet për mënyrën e zhvillimit të luftës kundër jobesimtarëve. Sipas disa dijetarëve, ajeti 5 i kaptinës 9, i zëvendësoi, asgjë më pak, por 113 kaptinat tjera: “Atyre që po sulmohen me luftë, u është dhënë leje të luftojnë, për shkak se u është bërë padrejtë, e All-llahu ka fuqi për t'u ndihmuar atyre (muslimanëve). (U lejuan të luftojnë) Ata, të cilët vetëm pse thanë: ‘All-llahu është Zoti ynë’, u dëbuan prej shtëpive të tyre pa kurrfarë të drejte...”. Ajetet 39-40 të kaptinës 22 që janë shpallur së shpejti pas hixhretit, konsiderohen si të parat të cilat flasin për luftën kundër jobesimtarëve dhe pra, iu takojnë atyre ajeteve të cilat vlejnë si të pezulluara.
Më vonë, pas vdekjes së Profetit, doktrina për xhihadin gradualisht u zhvillua në diskutime dhe polemika të ndryshme, ku u ndeshën me periudhën ekspansioniste të islamit, atëherë kur pushtuesit musliman iu ishin nënshtruar ndikimeve kulturore të popujve të pushtuar. Në kohën e sundimit të hershëm të abbasitëve (fundi i shek. 8 dhe fillimi i shek. 9) juristët filluan të zhvillojnë teori për organizimin e shoqërisë islame, për udhëheqjen korrekte dhe për raportet e bashkësisë me botën jomuslimane. Atëherë u vendos për dy nocione qendrore; dar ul-islam, shtëpia e islamit dhe dar ul-harb, shtëpia e luftës.
Dar ul-islam-in e themeloi vet Profeti dhe ishte lideri i parë i tij. Ajo ishte bashkësi edhe fetare, por edhe politike, ndërsa udhëheqësi i saj, kalifi, ishte trashëgimtari i Profetit dhe në atë cilësi sundues sovran i saj në të dy sferat. Për atë arsye dar ul-islam dallohej nga pjesa tjetër e botës që ishte e goditur me konflikte të vazhdueshme dhe që gjithashtu ishte kërcënim për dar ul-islam-in. Prandaj, paqja afatgjate do të ishte e mundur vetëm po qe se e tërë bota do të hynte nën ombrellën e shtëpisë së islamit ku nënshtrimi ndaj Zotit është ligj i përgjithshëm. Para se të arrihet në atë gradë të zhvillimit, lufta ishte gjendje normale, por edhe periudhat e paqes ishin të mundshme pas marrëveshjes ndërmjet dar el-islamit dhe shteteve jomuslimane.
Sipas shkollës juridike malakite, para se të vijë deri në konflikte sulmuese, kundërshtarëve përreth duhet t’iu ofrohet mundësia e pranimit të islamit ose të dorëzimit pa rezistencë. Nxitja në konvertim duhet të zgjasë tre ditë. Nëse armiku edhe ditën e katërt refuzon të pranojë islamin, atëherë duhet të sulmohet. Sipas studiuesit të njohur të çështjes së xhihadit, Rudolph Peters, shpjegimi i kësaj veprimtarie është që t’i tregohet armikut se motivet e luftimit kundër tij nuk janë të natyrës laike (që i përkasin kësaj bote), si p.sh. arritja e pasurisë, por të natyrës së përhapjes dhe përforcimit të islamit.
Qëllimi më kryesor ishte vendosja e vetëm të një shteti islam i cili do t’a përfshinte tërë bashkësinë muslimane, ummet, dhe detyra e së cilës është zgjerimi i sundimit në mbarë botën, ashtu që të çrrënjoset mosbesimi:
“Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet feja vetëm për All-llahun. E në qoftë se ndalen (nga propaganda dhe lufta), atëherë lëreni armiqësinë, përveç atyre që janë zullumqarë”. (2:193). “Luftoni ata derisa të mos mbetet idhujtari (besimi i kotë), e i tërë adhurimi të bëhet vetëm për All-llahun. Po nëse ata ndalen (i japin fund mosbesimit), All-llahu është mbikëqyrës për atë që veprojnë”. (8:39).
Për numrin më të madh të juristëve, xhihadi ishte detyrë kolektive e mbarë shoqërisë, e jo detyrë individuale. Deri në shekullin e mesëm një numër i madh i njerëzve luftërat ekspansioniste i konsideronin si mënyrë për përhapjen e dar el-islamit dhe si shtyllë e gjashtë e fesë, pranë pesë detyrimeve obligative, siç janë; dëshmia e fesë/shehadeti/, namazi, agjërimi, zeqati dhe haxhi, edhe pse kjo formë e luftimit teoritikisht nuk ishte më e mundur, pasi që imami i fundit shi’it ishte zhdukur në vitin 873. Më pas nuk pati as kalif e as imam. Megjithatë, ulematë/dijetarët islam/kanë mundur t’a proklamojnë xhihadin në qëllime mbrojtëse në rast të sulmeve ndaj ndonjërës pjesë të bashkësisë muslimane. Shembulli historik i asaj forme të xhihadit individual është lufta e suksesshme e Salahuddinit kundër kryqtarëve, atëherë kur ai si komandant rajonal organizoi dhe udhëhoqi mbrojtje të suksesshme kundër invadimit kryqtar.
Sipas Kur’anit dhe haditheve, bashkësia muslimane është e obliguar që të sigurojë sasi të mjaftueshme të armëve gjatë periudhës së paqes me qëllim që të mund të mbrohet nga agresionet eventuale të befasishme:
“E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake), e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje), ta frikësoni armikun e All-llahut, armikun tuaj dhe të tjerët, të cilët ju nuk i dini (se kush janë), e All-llahu i di ata. Çka do që shpenzoni për rrugë të All-llahut, ajo do t'ju kompensohet dhe nuk do t'ju bëhet padrejtë. (8:60).

Në tekstin e Kur’anit dhe në Traditë ekzistojnë një varg rregullash (luftarake):
- në luftë orvatjet medoemos të jenë në proporcion me qëllimet e dhëna,
- ata të cilët nuk luftojnë, duhet të mbrohen, ndërsa lufta ekonomike destruktive, si p.sh. taktika e ndezjes së tokës, assesi nuk është e lejuar,
- nëse armiku dëshiron paqe, atëherë duhet pranuar atë: “Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di”. (8:61),
- lufta mbrojtëse është e arsyetuar me qëllim që të eliminohet sulmi ose planet për sulm,
- xhihadi është i lejuar me qëllim të pengimit të tiranisë dhe persekutimit të muslimanëve të cilët jetojnë në dar el-harb/në vendin e luftës/, që do të thotë në vendet jomuslimane: “Ç’keni që nuk luftoni për Zotin dhe për (t'i shpëtuar) të paaftit: nga burrat, nga gratë e nga fëmijët, të cilët luten: ‘Zoti ynë! nxirrna nga ky fshat (Meka), banorët e të cilit janë mizorë. Jepna nga ana Jote shpëtim e ndihmë’!” (4:75),
- gjithashtu, xhihadi mund të zhvillohet edhe si përgjigje ndaj premtimit të thyer: “E nëse ata i thyejnë zotimet e tyre pas marrëveshjes, ofendojnë fenë tuaj, atëherë luftoni krerët e mohuesve. Ata vërtet nuk kanë besë, luftoni që të frenohen (nga krimi e fyerja)”. (9:12),
- prapëseprapë, lufta nuk mund të jetë mjet për konvertimin e dhunshëm në islam: “Në fe nuk ka dhunë”. (2:256), “Sikur të kishte dashur Zoti yt, do t'i besonin çka janë në tokë që të gjithë. A ti do t'i detyrosh njerëzit të bëhen besimtarë? Nuk është e mundur për asnjë njeri të besojë (ndryshe), pos me ndihmën e All-llahut. E dënimin u jep atyre që nuk mendojnë”. (10:99-100). “Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit. Në qoftë se doni të merrni hak, atëherë ndëshkoni në atë masë sa jeni ndëshkuar ju; e nëse duroni, pa dyshim ai është më i mirë për ata që durojnë”. (16:125-126).
“Ithtarët e librit mos i polemizoni ndryshe (kur i thirrni në fenë tuaj) vetëm ashtu si është më së miri, përveç atyre që janë mizorë dhe thuajuni: ‘Ne i besuam asaj që na u zbrit neve dhe që u zbriti juve dhe se Zoti ynë dhe Zoti juaj është një, dhe se ne i jemi dorëzuar Atij”. (29:46).
Një numër i madh i fetvave (decizioneve) që kanë të bëjnë me luftën, janë dhënë nga shkaqe të pastra politike. Gjatë historisë shpeshherë ndodh që dy shtete muslimane të zhvillojnë luftë njëra me tjetrën, ndërsa juristët e të dy palëve ne konflikt, ato luftëra i shpallnin si lufta të shenjta kundër renegatëve. Madje, vetëm 25 vite pasi që kishte ndërruar jetë Profeti Muhammed, harixhitët shpallën luftë kundër kalifit, pasi që e kishin akuzuar për largim nga mësimi i pastër e i drejtë (islam). Gjatë shekujve 18 dhe 19, lëvizje të ndryshme radikale të cilët kishin për qëllim pastrimin e shoqërisë islame, shpallnin luftë të shenjtë kundër armiqve të tyre, si ndaj muslimanëve, ashtu edhe ndaj jo muslimanëve.
Gjatë periudhës kolonialiste britanikët dhe francezët arritën sukses në fetvatë e marra me domethënie se ata përfaqësojnë sundimtarët ligjor dhe legjitim, si dhe rezistenca ndaj sundimit të tyre nuk është e lejuar.
Atëherë kur britanikët pas kryengritjes kundër sundimtarëve kolonialistë në Indi në vitin 1857 filluan t’i favorizonin hindusët në armatë dhe në administratë, njëri nga mendimtarët kryesor musliman i quajtur Ahmed Khan, pohoi se islami nuk e ndalon bashkëpunimin me forcat okupatore. Motivimi i tij ishte se mënyra e atillë e rezistencës i përjashtonte muslimanët e arsimuar nga shtresa e mesme dhe e lartë, gjë që do ta dëmtonte bashkësinë muslimane. Për atë arsye, urdhrin kur’anor për xhihadin ai e komentoi si të zbatueshme atëherë kur muslimanët janë të nënshtruar tiranisë së vërtetë ose me rastin e pengimit të kryerjes së pesë shtyllave të islamit. Pasi që zotërinjtë kolonialistë britanikë nuk i futnin duart e tyre në çështjet dhe në detyrimet fetare të muslimanëve, atëherë nuk kishte bazë për zhvillim të xhihadit kundër tyre.
Për reformistët tjerë, si Muhammed Abduhu (1849-1905) dhe Muhammed Rida (1865-1935), lufta kundër jobesimtarëve varej nga sjellja e tyre ndaj bashkësisë muslimane. Ata pohonin se bashkëjetesa e qetë ishte raport normal ndërmjet dar el-islam-it dhe dar ul-harb-it, dhe se xhihadi ishte i lejuar vetëm si luftë mbrojtëse. Prapëseprapë kjo e mundësoi luftën e shenjtë kundër kolonizatorëve, sepse ata ishin agresorë. Pra, xhihadi konsiderohej si luftë korrekte, belluz justum.
Edhe një fetva e motivuar politikisht e dhënë në prill të vitit 1948 nga ana e myftiut kryesor të Egjiptit Muhammed Mahluf nënkuptonte se të gjithë muslimanët të cilët dëshirojnë të marrin pjesë në luftë për Palestinën, medoemos t’i përcjellin përcaktimet të cilat i verifikoi Liga Arabe. Ajo fetva ishte lëshuar një muaj para intervenimit të fqinjëve arab në konfliktin në Palestinë dhe ishte orientuar tek “Vëllezërit Musliman” të cilët krye në vete kishin filluar luftën jashtë kontrollit të atyre shteteve.
Gjatë Luftës së tetorit në vitin 1973, rektori i Universitetit al-Az’har në Kajro deklaroi se xhihadi është detyrim i çdo egjiptasi, si për muslimanët, ashtu edhe për të krishterët. Vdekja për atdhe në atë luftë, si muslimanët, ashtu edhe koptët do t’i shpinte drejtpërdrejtë në xhenet.
Në nëntor të vitit 1977 Kongresi Hulumtues Islam publikoi një fetva/decizion/ ku vërtetohej se xhihadi kundër Izraelit nuk kishte për qëllim shkatërrimin e shtetit hebre, por çlirimin e territoreve të okupuara nga viti 1967 dhe rivendosje të shtetit palestinez e cila do t’a përfshinte edhe Jerusalemin lindor. Me këtë akt, Kongresi e përkrahu linjën të cilën kryetari Sadat pikërisht e kishte përfshirë në Camp David me motivimin se udhëheqësi i shtetit musliman sipas Kur’anit mund të vendos armëpushim me armikun, po qe se një gjë e atillë do t’iu shërbente interesave të bashkësisë. Mund të thuhet se rezistenca ndaj okupimit sovjetik në Afganistan ishte xhihad në kuptimin fillestar të asaj fjale, sepse regjimi komunist i Moskës e ndaloi të praktikuarit e fesë, ndërsa synimi i politikës sovjetike ishte shkatërrimi i fesë. Prandaj, luftëtarët në rezistencë ishin muxhahidë, luftëtarë në rrugën e Zotit.
Në të vërtetë, xhihadi në kohën bashkëkohore fitoi një karakter të luftës qytetare islamike të orientuar kundër udhëheqësish për të cilën konsiderojnë se është larguar nga mësimet e vërteta. Aktivistët muslimanë konsiderohen njëjtë të vlefshëm si edhe muxhahidët e parë të cilët së bashku me Profetin Muhammed luftuan për eliminimin e idhujtarisë nga Arabia. Grupet militante në Egjipt, Siri dhe Algjer shpallën luftë të shenjtë kundër regjimeve vendase në shtetet e tyre të cilët i konsideronin si renegatë të dalë nga feja e vërtetë, me atë i llogaritnin edhe si heretikë dhe jobesimtarë. Ta përkujtojmë rastin kur kryetarin Sadat, “Faraonin e ri” e mbyti grupi Xhihadul-Islamijj i cili erdhi nga organizata Xhem’aa Islamija. Ideologu i grupit Abdus-Selam Farad pohoi se armiku më i keq i islamit gjendet ndërmjet shteteve muslimane, udhëheqësit e të cilëve i shpijnë në gjendjen e njëjtë të barbarizmit - xhahilijjet - që mbisundoi para periudhës së Profetit, dhe andaj xhihadi është detyrë e çdo muslimani. Grupi i cili e mbyti Sadatin ishte një përzierje e individëve ushtarak, civil dhe religjioz të cilët autorizimin fetar për një aksion të atillë e kishin marrë nga një lider fetar.
Në luftën e gjatë dhe të hidhur ndërmjet Irakut dhe Iranit gjatë viteve 1980, që të dy palët pohonin se janë duke zhvilluar xhihad, ndërsa Saddam Huseini u orvat që okupimin e Kuvajtit ta paraqesë si xhihad të vërtetë. Madje edhe pse lexohet Kur’ani, siç ndonjë nga sundimtarët kur e lexon Biblën, sulmi ndaj shtetit fqinj islam të cilin e kreu kryetari me bazë politike në partinë socialiste dhe me të krishterin si këshilltarin më të afërt dhe ministrin e punëve të jashtme, megjithatë nuk mund të motivohet nga këndi islam. Ky ishte shpjegimi kryesor se për çfarë arsye popujt arab nuk e përkrahën Saddam Huseinin deri në atë masë siç ai kishte pritur. Megjithatë, ai arriti që t’a merr përkrahjen nga disa juristë islam, përderisa autoritetet tjera më të lartë me dëshirë të plotë luftën e aleatëve kundër Irakut e karakterizuan si xhihad. Në vitin 2002 lideri shi’it në Irak publikoi një fetva përmes së cilës stimuloheshin të gjithë muslimanët që ta mbrojnë vendin nga agresioni i huaj pasi që organizata udhëheqëse shi’ite në mërgim e pranoi ndihmën amerikane me qëllim të përmbysjes së Saddam Huseinit.
Pra, nocioni xhihad mund lehtë të përdoret për qëllime të ndryshme, shpeshherë të kundërta.
Për themeluesin e Tunizisë moderne, shekullaristin e hapur Habib Burgibën, xhihadi ishte i barabartë me orvatjet për modernizimin e vendit:
“Tunizia si vend musliman i bartë pasojat e ngecjes dhe të prapambetjes, dhe prandaj pjesa tjetër e botës neve na vështron me mospërfillje. Mënyra e vetme e çlirimit nga ky turp është puna permanente dhe mundimplote. Të dilet nga kjo prapambetje është xhihad - detyrim i cili rrjedh nga i njëjti princip si edhe xhihadi me shpatë”.
Pasi që Burgiba konsideronte se muaji i agjërimit Ramazani shpie në humbje të mëdha në sferën e prodhimit, ai iu ofroi instruksione dijetarëve tunizian që të ofrojnë fetva/decizion/që punëtorëve t’iu lejohet ngrënia gjatë periudhës së agjërimit. Është thënë se kontributet e tyre të punës janë xhihad dhe se ata janë muxhahidë, që do të thotë se janë pjesëmarrës në luftën e shenjtë, prandaj sipas Kur’anit janë të lirë që të mos agjërojnë.
Gjithashtu, nocioni shpeshherë përdoret në të njëjtën mënyrë si edhe ekspeditë kryqëtare – “kryqëzatë kundër drogës”. Qeveritarët e qytetit Kajro pohuan sa i kanë shpallur xhihad mbeturinave nëpër qytet.
Të flitet për domethënien e vërtetë të xhihadit sot, do të thotë t’i kthehemi këndvështrimeve të shkollave moderniste dhe fundamentaliste për këtë çështje.
Komentuesit modernistë pohojnë se raportet ndërmjet shteteve muslimane dhe jomuslimane në bazë janë me karakter paqësor. Thuhet se si princip gjen mbështetje në kaptinën 4, ajeti 90 nga Kur’ani: “...Sikur All-llahu të donte do t'ju jepte atyre fuqi e pushtet mbi ju dhe do t'ju luftonin. Në qoftë se ata tërhiqen prej jush, nuk ju luftojnë dhe ju ofrojnë paqe, atëherë All-llahu nuk ju lejon rrugë (luftë) kundër tyre”. (4:90). Po ashtu mbështeten edhe në ajetin 61 të kaptinës 8 ku thuhet: “Në qoftë se ata anojnë kah paqja, ano edhe ti kah ajo e mbështetu në All-llahun. Ai është që dëgjon dhe di”. (8:61). Për ekzegjetët liberal dhe modern të Kur’anit, porosia e ajeteve të këtilla është e qartë. Forca e armatosur mund të përdoret vetëm gjatë mbrojtjes së lirive fetare siç ekziston në 2:251: “...Dhe sikur All-llahu të mos i mbronte njerëzit me disa prej disa të tjerëve, do të shkatërrohej toka, po All-llahu është bamirës i madh ndaj njerëzimit”.
Mund të thuhet se modernistët e pranojnë botën në të cilën jetojnë dhe e pranojnë faktin se vlerat perëndimore kanë depërtuar në botën muslimane si rezultat i raporteve ekonomike dhe politike. Ata orvatën për ta reformuar botën islame duke i absorbuar ato vlera.
Definicioni klasik i xhihadit, sipas modernistëve, medoemos të vendoset në kontekstin kohor, gjegjësisht të asaj kohe kur islami publikohej dhe përderisa bashkësia e re ishte e rrethuar me armiq. Tani, në të vërtetë duhet të vendoset kur lufta është e lejuar. Sipas komentimeve të modernistëve çdo formë e xhihadit medoemos të zhvillohet në rrugë të Zotit, fi sebili-lah, gjë që e përjashton luftën për ekspansion territorial, plaçkitje, aksione hakmarrëse ose nga qëllimet tjera të kësaj bote. Dy kategori të xhihadit janë të lejuara; njëra i përket përhapjes së islamit, ndërsa tjetra mbrojtjes së shoqërisë muslimane. Në rastin e parë qëllimi është përforcimi i monoteizmit dhe të luftohet kundër politeizmit dhe idhujtarisë. Të gjitha pengesat për manifestimin e fesë medoemos të eliminohen, ndërsa të gjithë njerëzve iu është ofruar mundësia e kalimit në islam pa kurrfarë dhune nga ana e pushtetit ose shoqërisë. Përkrahja e këtij qëndrimi ekziston në kaptinat pothuajse identike 2:193 dhe 8:39.
Për shkak të mungesës së komunikimit, në periudhat e hershme (të islamit) pushtimet ishin e vetmja mënyrë për përhapjen e fesë, por sot situata është ndryshe. Për atë shkak, modernistët i kushtojnë kujdes të veçantë xhihadul-terbije-s, luftës së shenjtë përmes arsimimit, që do të thotë detyrim për përhapjen e mësimit të vërtetë islam në shoqëritë muslimane dhe xhihad-ul-da’we-së, detyrim për përhapjen e islamit përmes argumenteve dhe shembujve korrektë, detyrë kjo e cila po ashtu emërohet edhe si xhihad-ul-lisan ose xhihad-ul qelam, luftë e shenjtë me gjuhë ose me laps:
“Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira. Zoti yt është Ai që e di më së miri atë që është larguar nga rruga e Tij dhe Ai di më së miri për të udhëzuarit”. (16:125).
Asgjë më pak e vlefshme nuk është xhihad-un nefs, lufta e çdo individi me vetveten dhe xhihad-ush-shejtan, lufta kundër djallit.
Nga ana tjetër, fundamentalistët pohojnë se ky lloj i komentimit nuk është asgjë tjetër përveç se një lloj i konspiracionit me qëllim të devijimit të muslimanëve nga xhihadi i vërtetë dhe ngufatjen e dëshirës për të luftuar. Prandaj ata, tërë kujdesin ia kushtojnë kaptinave ekspansioniste, dhe pohojnë se ajetet e shpallura kah fundi i jetës së Profetit të cilët nxisin në luftë të pakompromisë kundër jobesimtarëve kanë përparësi ndaj citateve të mëparshme paqedashëse:
“Luftoni ata që nuk besojnë All-llahun e as botën tjetër, nuk e konsiderojnë të ndaluar (haram) atë që e ndaloi All-llahu dhe i dërguari i Tij, nuk besojnë fenë e vërtetë, prej atyre të cilëve u është dhënë libri, derisa ta japin xhizjen në dorë e duke qenë të mposhtur”. (9:29).
Këtë kaptinë edhe sot fundamentalistët e komentojnë si nxitje për luftë permanente me qëllim të përhapjes së islamit tek mbarë njerëzit, të cilët më vonë do të qeverisin sipas sheriatit, ndërsa modernistët në vend të kësaj pohojnë se është e nevojshme t’i kushtohet kujdes kontekstit, se e tërë kaptina e nëntë flet për njerëzit në Mekkë të cilët e kishin thyer marrëveshjen e arritur.
Për fundamentalistët xhihadi është luftë universale revolucionare. Ata mbështeten në idetë e Sejjid Kutb-it i cili për karakterin paqësor të islamit kishte shkruar:
“Kur islami synon paqen, ajo nuk është paqe naive, paqe e cila nuk do të thotë më shumë se siguria e njerëzve në një territor të caktuar ku populli e shpreh fenë islame. Jo, islami dëshiron paqe ku e tërë feja i takon Zotit, që do të thotë se të gjithë njerëzit e adhurojnë Zotin”.
Që këtu, paqja mund të pranohet vetëm pas fushatës së plotë fitimtare të islamit në mbarë botën. Prandaj, fundamentalistët nuk mund të orientohen në situatën e sotme, por ata dëshirojnë të vendosin shtet të pastër islam ku do të qeverisej sipas sheriatit. Xhihadi është mjet i atij qëllimi dhe kjo luftë e shenjtë duhet të orientohet kundër fuqive të mëdha perëndimore dhe kundër komunizmit dhe sionizmit, por edhe kundër shteteve muslimane të cilët nuk e zbatojnë sheriatin, që do të thotë pothuajse kundër të gjithëve ose kundër regjimit të cilët nuk jetojnë sipas mësimit të vërtetë, siç është shtëpia mbretërore saudite. Ndarja e religjionit dhe politikës është blasfemi. Prandaj, refuzohet edhe nacionalizmi, sepse ajo është ideologji shekullare.
Në argumentimet fundamentaliste vend qendror zë rënia dëshmor. Nuk janë të pakta ato kaptina ku stimulohen besimtarët për pjesëmarrje në luftë dhe ku premtohet shpërblim për ata të cilët e japin jetën gjatë xhihadit, si p.sh. në kaptinën 3:157-158:
“E sikur të ishit mbytur në rrugën e All-llahut, ose t'u kishte zënë vdekja, do të gëzonit falje e mëshirë prej All-llahut që është shumë më e dobishme se ajo çka ata grumbullojnë. Po edhe nëse vdiqët (në shtrat) ose u vratë, patjetër do të tuboheni te All-llahu”.
Ata të cilët nuk luftojnë i pret dënim i rëndë pas vdekjes:
“Kurrsesi të mos mendoni se janë të vdekur ata që ranë dëshmorë në rrugën e All-llahut. Përkundrazi, ata janë të gjallë duke u ushqyer te Zoti i tyre. Janë të gëzuar me atë që u dha All-llahu nga të mirat e Tij, dhe atyre që kanë mbetur ende pa i bashkuar radhëve të tyre, u marrin myzhde se për ta nuk ka as frikë dhe as që kanë pse të brengosen. Ata janë të gëzuar me begati e dhurata që ua dha All-llahu, e s'ka dyshim se All-llahu nuk ua humb shpërblimin besimtarëve”. (3:169-171)
“Ata (hipokritë) që mbetën (pa shkuar në luftë), u gëzuan për ndejen e tyre pas të dërguarit të All-llahut dhe nuk dëshiruan që të luftonin me pasurinë dhe veten e tyre në rrugën e All-llahut dhe thanë: ‘Mos dilni (në luftë) në vapë’! Thuaju: ‘Zjarri i xhehennemit ka vapën edhe më të fortë, nëse janë që kuptojnë’! Le të qeshin pak (në Dynja) e le të qajnë shumë (në botën tjetër). Ai është shpërblim i asaj që fituan”. (9:81-82)
Nocioni dëshmor/shehid/e mban rrënjën e njëjtë sikur edhe fjala shehadet, dëshmi e fesë. Sipas një tradite (thënie nga Profeti) shehidi mund të ndërmjetësojë për 70 anëtarë të familjes së tij për në Parajsë/Xhennet/. Sipas një thënie tjetër, askush nuk do të dëshirojë të kthehet në këtë botë, përveç se dëshmorit/shehidit/, sepse ai i ka përjetuar shpërblimet e sakrifikimit dhe dëshiron që sërish të mbytet në luftë.
Në rekrutimin e shehidit bën pjesë edhe premtimi për jetën e amshuar në parajsë, e përshkruar me detajet sensuale solide në Kur’an (kaptina 56:12-40, 55:54-56, 76:12-22).
Në kaptinën 56, të ajeteve 15-24 thuhet:
“Janë në shtretër të qëndisur me ar. Të mbështetur në to përballë njëri-tjetrit. Atyre u shërbejnë djelmosha të gjithmonshëm. Me gastare, me ibrigë dhe me gota të mbushura plot prej burimit. Prej së cilës pije (vere) as nuk u dhemb koka, as nuk dehen. Edhe pemë sipas dëshirës së tyre. Edhe mish shpezësh, cilin ta duan. Dhe (gratë e tyre janë) hyri symëdha. Si të ishin inxhi të ruajtura. Shpërblim për atë, që ata punuan”.
Vetëvrasja/qatlu nefsi-ihi/ nuk përmendet në Kur’an. Megjithatë, ekzistojnë një varg hadithesh të cilat nuk lënë kurrfarë dyshimi se i Dërguari ishte kundër saj. Në një hadith të atillë thuhet:
“Ai i cili bën vetëvrasje me shpatë, me shpatë të njëjtë do të dënohet në zjarrin e xhehenemit”. Gjithashtu Profeti ka thënë: “Ai i cili bën vetëvrasje duke u varur, do t’a var vetveten në ferr, ai i cili vetëvritet me thikë, vetveten do ta ther në xhehennem. Ai i cili mbytet me helm, atë do ta bartë në dorë dhe do për çdo herë do ta pijë në xhehenem..., çdo kush i cili bën vetëvrasje në këtë botë, do të dënohet me veprën e tij në Ditën e Gjykimit”.
Ata të cilët i përkrahin atentatet vetëvrasëse, orvatën për t’i arsyetuar duke i karakterizuar si dëshmor, istishhad. Fetvatë të cilat i legjitimojnë aktet e këtilla i kanë ofruar njerëz me autoritet dhe legjitimitet të dyshimtë të Gjirit Persik dhe Pakistanit, ndërsa liderët tjerë radikal i kanë gjykuar ato. Atentatet vetëvrasëse palestineze, madje edhe nëse për legjitimimin e tyre i përdorin argumentet fetare, së pari janë kombinim i realpolitikës dhe dëshpërimit. Qëllimi i aksioneve të atilla ishte nxitja e reprezaljeve masive nga ana e forcave izraelite, ashtu që edhe më ashpër të radikalizohet popullata palestineze në territoret e okupuara. Numri më i madh i atyre të cilët kanë kryer sulme vetëvrasëse, politikisht iu kanë takuar organizatave marksiste PFLP dhe brigadave shekullare të quajtura al-Aqsa.
Veprimtarinë e tij terroriste Usama bin Ladin e filloi në atë mënyrë kur në shkurt të vitit 1998 së bashku me katër liderë të tjerë të grupeve radikale islamike, publikon fetvanë e cila nxit në luftë kundër aleancës krishtere-sioniste:
“Në harmoni me urdhrin e Zotit e ofrojmë këtë fetva për të gjithë muslimanët: mbytja e amerikanëve dhe aleatëve të tyre - civilë dhe ushtarakë - është detyrë individuale e çdo muslimani i cili mund ta realizojë atë në çdo vend ku është e mundur, me qëllim të çlirimit të xhamisë al-Aksa në Jerusalem dhe të xhamisë së shenjtë në Mekkë nga kontrolli i tyre, si dhe t’i dëbojnë ushtritë e tyre nga vendet islame. Kjo është në harmoni me fjalët e Zotit të Lartëmadhëruar: “Luftoni ata (idhujtarët) derisa të zhduket propagandimi i idhujtarëve dhe derisa të aplikohet feja vetëm për All-llahun”.
Pra, porosia flet për luftën kundër agresorit të huaj, që do të thotë se xhihadi është detyrim i çdo muslimani. Kjo fetva ishte publikuar para 11 shtatorit të vitit 2001, si dhe para sulmeve të kryera ndaj ambasadave amerikane në Keni, Tanzani dhe kundër anijes luftarake USS Cole.
Megjithatë, fetvaja e Ladenit nuk mund të legjitimohet me doktrinën për xhihadin mbrojtës, sepse ajo nxit në vrasje të civilëve dhe ushtarakëve në të gjitha vendet, po qe do të ishte e mundur një gjë e atillë. Qëndrimi i tij se prezenca e të krishterëve dhe hebrenjve në territoret muslimane është e barabartë me agresionin, është iu kundërvihet urdhrave të Kur’anit që kanë të bëjnë me të respektuarit e Ithtarëve të Librit.
Sulmet terroriste ndaj World Trade Center, ndaj sinagogës në Xherbë dhe diskotekës në Bali, janë mbytje masive të cilat gjithashtu i kanë tronditur edhe muslimanët, akte këto për të cilat assesi nuk gjendet mbështetje në Kur’an.
“Për këtë (shkak të atij krimi) Ne u shpallëm (ligj) beni israilëve se kush mbyt një njeri (pa të drejtë), pa pasë mbytur ai ndonjë tjetër dhe pa pasë bërë ai ndonjë shkatërrim në tokë, atëherë (krimi i tij) është si t'i kishte mbytur gjithë njerëzit...”. (5:32). “Kush e mbytë një besimtarë me qëllim, dënimi i tij është xhehennemi, në të cilin do të jetë përgjithmonë. All-llahu është i hidhëruar ndaj tij, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur dënim të madh”. (4:93).
Vijon

Përktheu në shqip: Behxhet Jashari

Opinionet subjektive të autorit dhe interpretimi i ngjarjeve historike nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e redaksisë së portalit islam-tim

Artikuj të ngjajshëm :


Stumble
Delicious
Technorati
Twitter
Facebook

0 komentet:

Posto një koment

Twitter Delicious Facebook Digg Stumbleupon Favorites More
 

Islam-tim Copyright © 2010 Islam-tim is Designed by Ekipi7